QDN Shkup së shpejti fillon me realizimin e programit për drejtorë shkollor

Nansen Qendra për trajnim për arsimim të integruar krijoi programin për  drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme multietnike i strukturuar me qëllim që ti njoftojë drejtorët e shkollave me zhvillimin, konceptin dhe idenë për arsimim të integruar përmes shumë shembujve pozitiv, eksperiencave si dhe modeleve të disa sistemeve Evropiane edukativo-arsimore të cilat ishin pikënisja e zhvillimit dhe ndërtimit të modelit Nansen për arsimim të integruar në R. e Maqedonisë.

Trajnimi është i paraparë për drejtorët e shkollave dhe ka për qëllim që të ofrojë informacionet, njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për hartimin e strategjive përkrahëse të modelit Nansen për arsimim të integruar në suaza të shkollave amë si një komponentë strukturore e programeve vjetore të punës së shkollave në kahe të ndërtimit të etosit të shkollës së integruar.

Përmes trajnimit, drejtorët e shkollave do të kenë rastin dhe mundësinë e drejtpërdrejtë për pasurimin e njohurive në fushën e menaxhimit të projekteve si dhe në sferën e kërkimit dhe ngritjes së fondeve nga burime të ndryshme për përkrahjen e shkollave të integruara dhe aktivitetin e tyre të përgjithshëm edukativo- arsimor.

Programi për trajnimin e drejtorëve shkollor përmban katër fusha tematike, respektivisht:

  • Karakteristikat dhe leverditë e modelit Nansen për arsimim të integruar- si një iniciativë e re në sistemin arsimor të Maqedonisë dhe bazë për ndërtimin e etosit të shkollave të integruara në R.M.
  • Menaxhimi i projekteve në shkolla të integruara
  • Sigurimi i mjeteve dhe burimeve  financiare për shkollat e integruara (fundraising)
  • Zhvillimi i konceptit të arsimimit të integruar në Evropë

Është paraparë që të gjitha temat të realizohen përmes trajnimeve njëditore të përgatitura nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtar nga fushat e lartpërmendura.

Karakteristikat e trajnimeve për drejtorë shkollor janë:

Mënyra interaktive e punës, qasje dygjuhësore/ tregjuhësore, punë në gupe të vogla, diskutime konstruktive grupore, rreth pune pozitiv dhe stimulues.

Të gjithë pjesëmarrësit të cilët në mënyrë aktive do ti vijojnë të gjitha temat dhe ligjëratat e planifikuara do të fitojnë certifikatë të karakterit ndërkombëtar.