Ligjëratë me ekspert ndërkombëtar dhe ndarja e certifikatave për përfundimin e trajnimit bazik

Më 11 shtator, 2015 në hapësirat e EU Info qendrës në Shkup, Qendra për dialog Nansen Shkup organizoi ligjëratën me trajnuesen ndërkombëtare z-nj. Paula Mekluejn nga Fondi për arsimim të integruar i Irlandës Veriore. Ligjërata u organizua në suaza të trajnimit bazik për arsimim të integruar i paraparë për grupet 8, 9 dhe 11 të pjesëmarrësve. Tema e ligjëratës ishte “Zhvillimi i qasjes së paanshme ndaj arsimimit të integruar”. Ligjërata përfshinte shumë shembuj nga lëvizjet për arsimim të integruar në Irlandën Veriore dhe Shtetet e Bashkuara dhe u ndoq me një interes të madh nga ana e pjesëmarrësve të cilët u inkuadruan gjatë sesioneve për diskutim.

Pas pjesës formale të ligjëratës, pjesëmarrësit nga grupet 6, 7, 8, 9 dhe 11 të cilët me sukses përfunduan nivelin bazik të trajnimit për arsimim të integruar pranuan certifikatat për përfundim të suksesshëm. Pjesëmarrësve iu drejtuan Këshilltari i Ministrit të arsimit dhe shkencës dhe përgjegjësi për arsimin e mesëm në R. e Maqedonisë- z. Safet Neziri, Drejtori ekzekutiv i QDN Shkup- z. Sasho Stojkovski, përfaqësuesja nga Fondi për arsim të integruar të Irlandës Veriore- znj. Paula Mekluejn dhe Menaxherja e Qendrës për trajnim- z-nj. Biljana Krsteska- Papiq.

Pjesëmarrësit të cilët me sukses përfunduan nivelin bazik të trajnimit për arsimim të integruar kanë të drejtë të aplikojnë për nivelin e avancuar të trajnimit për arsimim të integruar i cili është planifikuar të fillojë gjatë vjeshtës së vitit 2015.