Konferencë: Ligjërata me ekspertë ndërkombëtarë

Më 29 janar, 2016, Qendra për Dialog Nansen Shkup organizoi një konferencë me ligjërata të ekspertëve ndërkombëtarë në temën: “Konceptet evropiane dhe ndërkombëtare për arsimim të integruar dhe për dialog interkulturor”. Konferenca u realizua në hapësirat e Komunës së Çairit dhe u organizua si pjesë përbërëse e nivelit të avancuar të trajnimeve për arsimim të integruar në kuadër të Qendrës për Trajnim, QDN Shkup.

Gjatë konferencës u mbajtën ligjërata nga ekspertë të dalluar ndërkombëtarë, të cilët janë pjesë e ekipit ndërkombëtar të trajnuesve në kuadër të Qendrës për Trajnim për arsimim të integruar. Ligjërata e parë u realizua nga prof. dr. Steinar Bryn nga Qendra Nansen për Paqe dhe Dialog në Lilehamer, Norvegji, në temën “Arsimi i integruar si një trend dhe tendencë globale”, ndërsa ligjërata e dytë u paraqit nga prof. dr. Zvi Bekerman nga Universiteti Hebre i Jerusalemit në temën: “Shkollat e integruara dygjuhësore palestineze-arabe/hebreje, si metaforë për një realitet të ndryshëm-sukses apo dështim”. Pas ligjëratave, pjesëmarrësit kishin rastin që të merrnin pjesë në sesionet e parapara për diskutime dhe shkëmbimin e mendimeve dhe të përvojave.

Pas pjesës formale të Konferencës, 5 grupeve të pjesëmarrësve (grupi 6, 7, 8, 9 dhe 11) iu ndanë certifikata për përfundim të suksesshëm të nivelit të avancuar për arsimim të integruar. Pjesëmarrësve iu drejtuan: këshilltari i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, drejtori ekzekutiv i QDN Shkup, Sasho Stojkovski, dhe menaxherja e Qendrës për Trajnim, Biljana Kërsteska-Papiq.

Në konferencë morën pjesë rreth 100 arsimtarë, profesorë, bashkëpunëtorë të shkollave, të cilët me sukses përfunduan nivelin e avancuar të trajnimeve për arsimim të integruar.